Tuesday, March 18, 2008

VEÇORITË E NJË PROZE TË SHKURTËR

MBRESËLËNËSE
Shënime për librin me tregime "Rrëfimet e një hajduti"
të prozatorit Shefki Hysa

1. Proza jonë e shkurtër edhe gjatë këtyre vjetëve të tranzicionit, ka nxjerrë në pah dukuri të reja, risi këto që bien në sy në krijimtarinë e një sërë prozatorësh, të vjetër e të rinj, të cilët kanë bërë emër me librat e tyre, kanë tërhequr kureshtjen e lexuesve dhe janë vlerësuar prej tyre.

Në këtë kuptim duhet analizuar edhe krijimtaria e prozatorit Shefki Hysa, i njohur prej vitesh nga lexuesi, e cila ka lënë gjurmë në rrethet letrare. E padyshim, një krijimtari e larme, shkruar me një frymë të theksuar realiste, ku gërshetohen edhe elemente të prozës së sotme moderne si të surealizmit e realizmit magjik, me një vështrim të thellë e kompleks në realitetin e kohës, me një aradhë personazhesh të individualizuar, përmes situatash të gjetura artistike dhe një gjuhë të pasur letrare, s'ka sesi të mos tërheqë vëmendjen e kritikës dhe të studiuesve tanë. Kjo krijimtari jep dorë e hap shtigje për një analizë artistike, pasi në të bëjnë majë pikërisht disa nga veçoritë më pozitive dhe të qenësishme të prozës së sotme shqiptare.

2. Gjithnjë ribotimi ka qenë një test i rëndësishëm i krijimtarisë, për të kuptuar edhe një herë se sa thellë ka bërë ajo fole në mendjen dhe zemrën e lexuesve. Prandaj ribotimi i përmbledhjes me tregime të Shefki Hysës "Rrëfimet e një hajduti", veç të tjerash, është sprovë e re për autorin, në përballje me lexuesit, për t'iu ridhënë atyre mbresat dhe emocionet që ngjallin tregimet e përmbledhjes, ku rikrijohen artistikisht tablo nga jeta e periudhave të ndryshme kohore dhe gjëllijnë personazhe me të vërtetë interesante, të cilat janë gdhendur me shije e mjeshtri artistike.

Dy tregimet që hapin përmbledhjen "Tmerri i Sidës" dhe "Rrëfimet e një hajduti" janë disi të ngjashëm nga kompozicioni i tyre. Në to ngjarjet shtillen në një situatë dhe gjetja artistike shpaloset në fund, duke e lënë lexuesin në ankth e kërshëri, gjatë leximit, derisa të njohë mbylljen e tregimit, të zbulojë mesazhin e tij e veçanërisht tiparet e karaktereve të personazheve. Vajza në tregimin e parë shfaqet krejt ndryshe nga sa e përfytyron gazetari i ri me dramën e saj, që ndoshta në një kuptim është më e fëlliqur se vetë Sida, ndërsa djaloshi vjedhës te tregimi i dytë zbulon krejt papritur karakterin e tij të pandryshuar në një situatë sa të veçantë, aq dhe gazmore e disi groteske. Rëndësi ka që të dyja tregimet shtillen natyrshëm, me vërtetësi jetësore e me një temporitëm të kënaqshëm, që ndihet dukshëm gjatë leximit, falë përvojës dhe zotësisë së autorit.

Ndërsa "Perandoria e idhujve" është më tepër një skicë a ese, me kuptim alegorik, tregimi "Vejusha e zezë" spikat si një nga më të bukurit e më të shenjuarit e përmbledhjes. Në këtë prozë të qëlluar gjen në miniaturë thuajse të gjitha veçoritë karakteristike të krijimtarisë së Shefki Hysës; narracionin plotë ngjyrë artistike, dialogun e shkathët e të ngjeshur, temporitmin e mënyrës së të rrëfyerit, elementet e surealizmit të prozës së sotme moderne, nënteksin përqeshës e tallës, që arrin në kufijtë e groteskut, e mbi të gjitha vizatimin e larmë e me kolorit të veçantë të figurës së një vejusheje, portreti i së cilës të mbetet gjatë në kujtesë. Me mjeshtri e finesë të hollë autori ia ka dalë mbanë të thurë një subjekt interesant që e mban gjallë kureshtjen e lexuesit dhe të zbulojë në fund aq papritur një gjetje të rrallë artistike, e cila i jep një fshikull të hollë demaskuese figurës së vejushës së zezë, kësaj gruaje me përmasa përbindsheje në jetë, madje edhe në seks. Prandaj edhe skenat erotike të tregimit janë dhënë në funksion të zbulimit të karakterit të personazhit dhe të shpalosjes së mesazhit të autorit. Vejusha e zezë mbetet një personazh i spikatur dhe i rrallë në galerinë e personazheve më të realizuar të prozës sonë të shkurtër.

Duke gjykuar të ketë larmi mënyrash të të shkruarit autori i përmbledhjes "Rrëfimet e një hajduti" ka mundur të krijojë me mjeshtri artistike dhe patos emocionues tregimin "Didini", i cili mbetet një nga kolonat më të forta të këtij libri. Siç thekson me të drejtë një studiues i krijimtarisë së autorit, Bardhyl Maliqi, "tregimi "Didini"… është një model artistik i përdorimit me mjeshtri të elementeve magjike, shprehje e realizmit magjik në letërsinë tonë". Heroi i tregimit "Didini" një pinjoll i një familjeje nacionaliste, vizatohet në vepër me cilësitë dhe karakteristikat më të mira që mund të ketë një djalosh i ri me ëndrra e ideale për jetën dhe të ardhmen. Por në ato kohëra lufte tragjedia e të riut nacionalist ishte e pashmangshme, sepse ata që udhëhoqën luftën, komunistët, ishin armiq për vdekje me naiconalistët shqiptarë. Duke luftuar me një çetë të Ballit kundër partizanëve, Didini bie rob i tyre dhe në fund, për bindjet e tij, masakrohet nga komandanti partizan "Pisha".

I tërë tregimi shpaloset në retrospektivë. Shfrytëzimi i elementeve magjike i ka dhënë dorë autorit të vendosë si strumbullar të veprës personazhin kryesor, jo Didinin, por shpirtin e trazuar të djaloshit, që është masakruar gjatë luftës. Kjo gjetje sa fantastike, aq dhe konvencionale ka ndikuar thellë në të gjithë strukturën artistike të kësaj proze të realizuar dukshëm. Kështu, i gjithë materiali jetësor mbështillet rreth personazhit-shpirt, i cili si një frullizë e trazuar vetevjen ngado në viset e vendlindjes dhe ndërmend ato kohëra të shkuara e të suhishme. Nuk e teprojmë po të vëmë në dukje, duke njohur fëmijërinë dhe jetën e trazuar të autorit dhe të familjes së tij, se me Didinin, Shefki Hysa ka synuar të na krijojë artistikisht një portret pak a shumë të idealeve të tij, duke e "qëndisur" personazhin, që ndihet se e do së tepërmi. Djaloshi Didin na jepet si një njeri me shpirt të rrallë human, trim e çakmak nga trutë, i cili gjithë jetën ka bredhur i lirë, si kaprolli i maleve përqark. "Didinin-shpirt e pushtoi rishtas ndjesia e mufatjes së brengës përbrenda atij vrundulli padukshmërie që përcaktonte ekzistencën e tij. Donte të urrente e nuk urrente dot. Donte të rebelohej e nuk rebelohej dot. Çuditërisht, ndryshe nga shpirtërat e tjerë në arrati, shpirti i Didinit nuk përmban në vetvete prirjen kriminale, embrionin e fantazmës, që befas shpërthen netëve dheun e varrit dhe turret ashtu magjishëm me tërë fuqinë e së keqes mbi paqen njerëzore. Madje shpirtërat lugatë, sa herë e ndeshnin në fluturim e sipër Didinin-shpirt, e vinin në lojë, e tallnin dhe e përtallnin për pafuqinë e tij shurdhmemece. Çuditeshin lugetërit se si mund të kishin shpirtëra në arrati, që në vend të hakmerreshin, e kundronin qetaz botën njerëzore prej atij vrundulli ajror sa vuv dhe engjëllor. As djall e as engjëll e megjithatë një shpirt i pastrehë, i përhumbur në shurdhmemecërinë e vet, në shtjellën e brengës së vet. Madje edhe vetë Didini habitej ndonjëherë me ekzistencën e tij aq pasive. Ç'kuptim të kishte vallë ajo lloj rezistence midis tokës dhe qiellit, kur nuk mund të ndërmerrte asgjë për të ndryshuar sadopak rrjedhën fatale të ngjarjeve, siç mund të bënin shpirtërat e arratisur prej ferrit?! Dhe e kishte hak të hakmerrej për atë vrasje të pabesë. Me plumb. Ashtu pas shpine, si një hapje dhe mbyllje sysh?!… ("Didini, f. 55-56).

Është e tepërt të themi sesa keqardhje ndien dhe sesa ligsht ndodhet lexuesi për fatin tragjik të këtij personazhi, që me botën e pasur shpirtërore dhe humanizmin e tij bën fole në zemrat e njerëzve.

Këtë karakter human e gjejmë te tregimi "Qopeku", xha Mihoja te "Plaku i liqeneve", Hidoja dhe Leta te "Të shtunën pasdite", Xheki dhe Dudija te "Loja e fatit", Lirika te tregimi me të njëjtin emër.

Tregimi "Ullinjtë" shtillet në një ulli tjetër. Bëhet fjalë për një ngjarje të viteve të dikurshme. Autori, si një vëzhgues i hollë e i mprehtë i jetës, në këtë tregim e hedh vështrimin në atë kohë, kur populli ishte i mbërthyer nën zgjedhën e diktaturës.

Subjekti i tregimit është sa i thjeshtë, aq edhe ngjethës. Një vashës fare e re, gjashtëmbëdhjetëvjeçare, e nxitur nga e ëma dhe varfëria, që për të fituar diçka e shtyn në një punë të fëlliqur, shkon të vjedhë ullinj në pronën e kooperativës, pra në rrahun e Habibit. Dhe vajza e kryen këtë akt, por bie pre e brigadierit të pemtarisë, Raufit, i cili, i ndezur nga epshi seksual, mundohet ta përdhunojë. Kuptohet, gjesti i tij i turpshëm e kriminal ndaj një femre është ku e ku më i fëlliqur, sesa grabitja fshehurazi e një thesi me ullinj. Autori përmes një paralelizmi figurativ me pëllumbat, në mbyllje të tregimit, e thekson me forcë këtë mesazh: "Vajza, që ua kishte zili fluturimin atyre pëllumbave, e përfytyroi veten një çast si një pëllumbeshë që sapo u ka shpëtuar krahëve të skifterit. Dhe u përlot prapë. Ishin lot gëzimi. E ndiente veten të lirë, të lirë, të lirë"… Por ky tregim na intereson edhe në një këndvështrim tjetër; i shkruar vite më parë, ai zbulon qartë moskonformizmin e autorit me metodën e realizmit socialist, me synimin e tij për të thyer kornizat e asaj metode e për të nxjerrë sheshit edhe shëmtitë e realitetit të hidhur të asaj kohe, kur heroina e tregimit, në mbyllje të tij "psherëtiu përsëri me mendimin se realiteti ishte më i hidhur se kokrra e ullirit"…

Në një sërë tregimesh të tjera të përmbledhjes, autori i thur subjektet duke vënë në qendër të vëmendjes problemin e dashurisë. Në to vërehet qartë sesi autori, përmes mjetesh të gjetura artistike, ia del mbanë të përshkruajë situata emocionuese e plot romantikë dashurie me një pastërti të qashtër, humane, fisnike e jetësore. Dashuria konceptohet si një ndjenjë e shenjtë, hyjnore, por gjithsesi, kur kërkon të fshikullojë personazhet, autori di të përshkruajë marrëdhëniet e dashurisë edhe thjesht fizike e të egra, siç ndodh fjala vjen në tregimin "Bisha e bukur", ku përmes një përshkrimi tallës e grotesk të marrëdhënieve të dashurisë, me një fjalor tejet banal, fshikullohen e demaskohen personazhet kryesore të veprës, të cilat autori i ka vënë në shënjestër.

3. Është vënë në dukje nga kritika se prozatori Shefki Hysa në krijimtarinë e tij jo rrallë ka shfrytëzuar të dhëna të shumta autobiografike për thurjen e subjekteve të krijimeve të veta. Ky konstatim është i saktë, sepse nuk ka shkrimtar, sado i njohur ose i panjohur të jetë, që të mos shfrytëzojë mbresat e kujtimet e jetës së tij në krijimtarinë e vet. Rëndësi ka fakti që rikrijimi artistik i kësaj të kaluare, meqë arti letrar ta jep këtë mundësi, të jetë në përmasa më të larta, më të thella e mbi të gjitha më emocionuese, sesa t'i jep këto vetë realiteti i jetës që përshkruan.
Falë origjinës së tij, jetës së dhimbshme, dramatike e të trazuar e falë talentit që e karaktizon, autori i përmbledhjes "Rrëfimet e një hajduti" ia ka dalë mbanë me sukses që në disa tregime të na shpalosë me dramacitet të veçantë, me një kolorit ngjyrash të ndezura e me një dhimbje që vërtet të rrëqeth, tablo të jetës së kaluar të popullsisë së pafat çame, të cilës, siç dihet, rrjedha e kohës u hodhi mbi kurriz vuajtje, mjerim e tragjedi rrallë herë të dëgjuara. Nuk është pa gjë thënia se shpesh në art prej dhimbjeve të mëdha lindin vepra të mëdha. Në këtë kuptim mendojmë se mund të interpretohet vlera artistike e tregimit "Qafa e botës", që edhe ky është një nga kolonat kryesore të përmbledhjes. Këtë vepër autori e ka shkruar me një dashuri e frymëzim të veçantë, sepse pikërisht në të ndihet më pranë vetes, jetës dhe origjinës së tij, sepse mbresat e kujtimet e dhimbshme e tronditëse të kësaj jete, që janë ruajtur me fanatizëm e këmbëngulje në nënvetëdije, kanë krijuar një shtysë të fortë e një frymëzim të rrallë për të derdhur në letër një krijim të realizuar dhe me vlerë artistike.

Në të vërtetë subjekti i këtij tregimi është i thjeshtë, pa shumë situata, siç janë në përgjithësi subjektet e tregimeve të Shefki Hysës. Ai nuk priret drejt ngjarjeve të jashtëzakonshme, por përkundrazi e përqendron vëmendjen në prozën e tij të shkurtër në narracionin-figurativ, te simboli dhe alegoria, me një fjalë te mjetet shprehëse figurative, të cilat e ndihmojnë së tepërmi për zbulimin emocionues të ngjarjeve dhe të karaktereve të personazheve. Si një simbol i gjetur duhet parë kësisoj qafa e famshme ose Qafa e Botës në tregim, i cili në kuptimin artistik shërben edhe për organizimin e strukturës kompozicionale. Kështu shpjegohet edhe paralelizmi figurativ midis dy kohëve, të asaj kohe kur këtë Qafë, që ndan dy shtete, e kapërcenin muhaxhirët fatkeqë "çamë" dhe të ditëve të sotme, kur me qindra e mijëra refugjatë çajnë ferrën maleve për të gjetur "parajsën" në shtetin fqinj. Këtë dukuri artistike e përforcon vetë autori kur vë në dukje në tregim se "po përsëritet tragjedia e muhaxhirëve çamë, këtu, në Qafë të Botës…
Megjithëse thonë se historia përsëdytet në mënyrë komike, e vetmja gjë që mund të shkaktojë një buzëqeshje të hidhur në këtë histori të re muhaxhirësh është ndoshta fakti se, ndërsa çamët i ndiqte i huaji, muhaxhirët e rinj, figadhes, siç i quan me përçmim greku, i ndjekin njerëzit tanë… Po, po, njerëzit tanë kolltukofagë, siç i cilësojnë gazetat e opozitës!"… (Qafa e Botës, f. 84).

Pra, duke përqasur në mënyrë figurative dy periudha historike që i ndajnë disa dhjetëravjeçarë, një gjetje e arrirë kompozicionale kjo, autori në tregim hap shtigje për të na rrëfyer me realizëm se çfarë lloj bëmash të tmerrshme e të llahtarshme kanë ndodhur e po ndodhin në këtë qafë, ose siç e cilëson autori: "Qafa e Botës i ngjante njëfarësoj asaj portës së fshehtë të përrallës që lidh botën tonë me atë të përtej varrit, të gjallët me të vdekurit". (Qafa e Botës, f. 78).

Pasi e ka "shtruar" kësisoj "udhën" e narracionit të tij, Shefki Hysa depërton në indet e tregimit, duke rikrijuar artistikisht, përmes rrëfimit të tij të shtruar, ku ruhet temporitmi, disa situata tepër të dhimbshme e dramatike. Përmes dy ushtarëve kufitarë dhe refugjatit të fshehur që mezi pret të kapërcejë kufirin, mësojmë disa bëma tragjike, të rralla në llojin e vet. Këtë na e paralajmërojnë krrakëllimat ndjellëse të vdekjes, të korbave të zinj, që pulsojnë në vepër si ogur i keq. Ja se ç'thotë ushtari i vjetër kufitar në tregim: "Po të fillojë shiu do të shohësh se nëpër Qafë do të shpërthejnë vetvetiu dhjetëra e dhjetëra flakë që të kallin tmerrin. Thua se po të rrethojnë flamat e lugatët dhe pret nga çasti në çast, të të ngulin kthetrat në grykë. Ka rrezik të shkallosh, po të jesh i vetëm, në këtë Qafë, në netë me shi. Ajo mori flakësh që kërcejnë pupthi, sa andej këndej, shkaktohet nga fosfori i eshtrave, që zë e aktivizohet prej lagështirës. Shkurreve, midis ferrave dhe barit që mbulojnë këtë tokë, po të kërkosh, do të gjesh kockat, dhe kafkat e shumë skeletëve njerëzorë. Ngaherë kanë mbetur kufoma njerëzish të pavarrosur në këtë Qafë. Por, siç thonë, muhaxhirët çamë, rreth vitit 1945, të përndjekur nga bandat greke, kanë lënë shumë të vdekur shtigjeve të kësaj Qafe. Vdisnin të cfilitur nga plagët, sëmundjet, të ftohtit, uria dhe vuajtjet që si përcepton dot një mendje njeriu normal. Ashtu pa ndihmë e mbrojtje, kruspulloseshin dhe jepnin shpirt, duke rënkuar rrëzë kaçubave e gëmushave. Njerëz të tjerë, të lemeritur, kapërcenin mbi kufoma të njohurish dhe të panjohurish, për të vdekur, ndoshta, që në kthesën e parë të atyre udhëzave të sapokrijuara nga shputat e këmbëve të përgjakura apo më tutje, në një lëndinëz a pranë një shkëmbi. Kaq shumë kufoma viktimash të pafajshme në pak ditë e javë! Kutërbonte që larg, Qafa, prej mishit të prishur…" (Qafa e Botës, f. 80-81). Të tilla përshkrime tronditëse që të ngjallin edhe ndjenjë tmerri, gjen edhe në vise të tjera të tregimit, pra jo vetëm për atë të kaluar të hidhur të vërdallisjes, pas përzënies nga trojet e tyre të muhaxhirëve çamë, por edhe në vitet e mëpastajme, kur refugjatët e gjorë shqiptarë, që synonin të kalonin kufirin për një të ardhshme më të mirë, i vrisnin në kufi dhe, siç thotë autori: "njerëzit e qeverisë sonë, si të mençur që janë, i kishin nisur të vrarët sipër një karrocerie makine. Pa arkivole. Ashtu të përgjakur, të përbaltur, fytyrëcopëtuar nga plumbat. Vdekje e shëmtuar që pëllciste edhe gurin me pamjen e vet e jo më zemrat njerëzore prej mishi e gjaku". (Qafë e Botës, f. 83).

Duke synuar të jetë njëherësh jo vetëm shkrimtar, por edhe protestues i ashpër për tragjedinë me përmasa të paimagjinueshme të muhaxhirëve të mjerë çamë, njerëzve të gjakut të tij, Shefki Hysa ka përmbledhur në libër një tregim tjetër të realizuar e mjaft dramatik. Tregimi "Dëshmia" është me të vërtetë një dëshmi ngjethëse, që zbulon mirëfilli masakrat e përbindshme të zervistëve grekë ndaj popullsisë së pambrojtur çame. I tejmbushur me frymëzim nga urrejtja dhe mllefi i fortë ndaj këtyre bishave me fytyrë njeriu, autori ka derdhur në letër një situatë që gati të çmend për makabritetin e vet. Kjo situatë, kur nëna e mirë çame Fatije, për t'i dëshmuar të huajve të komisionit për masakrat e llahtarshme të burracakëve të mallkuar të Zervës mbi popullsinë e pafajshme çame, u nxjerr atyre përpara lëkurën e rrjepur të kokës me një shtëllungë flokësh të të birit të therur, ndonëse i ngjet disi episodit të plakës Nicë, që i hedh ndër këmbë gjeneralit italian thesin me eshtra të kolonelit Z, te romani "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" të Ismail Kadaresë, gjithsesi mbetet e rrallë në llojin e vet në prozën e sotme shqiptare. Kjo situatë e tregimit "Dëshmia", me përmasa thuajse ireale, shpreh me një densitet të admirueshëm kuitesencën e vuajtjeve, të tragjizmit dhe persekutimit që provoi mbi kurriz kjo popullsi shqiptare në ato vite të llahtarshme. Përballë saj qëndron bukuria shpirtërore, humanizmi, dashuria dhe fisnikëria e madhe e nënës çame dhe përlotesh, i tronditur thellë, kur në mbyllje të tregimit "mëmë Fatija mori me përkëdheli dhe dhimbje lëkurën e kokës së të birit, e mbështolli tërë kujdes e merak, shkopsiti polkën dhe e rrasi në gji, pranë zemrës, si të donte t'i jepte jetë nga jeta e saj. I vështroi edhe njëherë njerëzit me sytë e përlotur dhe ashtu me duart përmbi krahëror u kthye për të ikur" (Dëshmia, f. 75).

4. Nuk mund t'i mbyllnim këto shënime pa thënë disa fjalë për stilin dhe gjuhën e pasur artistike që ka përdorur autori i përmbledhjes "Rrëfimet e një hajduti" në tregimet e veta. Shefki Hysa është ndër ata prozatorë shqiptarë, që këtyre komponentëve të formës artistike të krijimtarisë së tij u jep një rëndësi të veçantë. Dhe ky fakt rrëfen për kërkesat e ngritura profesionale që ka autori i talentuar ndaj krijimtarisë së tij. Siç vëren me të drejtë edhe studiuesi Bardhyl Maliqi "karakterin realist të prozës së Shefkiut e nxjerr më në dukje edhe gjuha e pasur me shprehje frazeologjike, me dialektalizma, zhargone që funksionalizohen sidomos në gojën e personazheve. Krahas prirjes realiste të prozës së Shefki Hysës, vërejmë në të edhe elemente, po edhe konceptime të një proze, e cila, duke u mbështetur në krijimtarinë popullore dhe në teknikat bashkëkohore letrare, na shfaqet sa komplekse aq dhe e pasur në strukturat e saj në dukje të thjeshta, por tepër ekspresive"…

Si përfundim theksoj se prozatori Shefki Hysa ka zërin e tij të veçantë në prozën tonë, ka individualitetin e tij tashmë të formuar artistik dhe me krijimtarinë e vet zë sot një vend të lakmueshëm në prozën realiste shqiptare.

Sokol JAKOVA
Jeta e artistit në diktaturën komuniste
Mendime për romanin "Robër të paqes" të Shefki Hysës

Megjithëse në tërësi librat e shkrimtarit Shefki Hysa trajtojnë një tematikë dhe problematikë të larmishme, ata i përshkon fund e krye fshikullimi dhe demaskimi i diktaturës komuniste, pasqyrimi me realizëm e vërtetësi i jetës së njerëzve të thjeshtë në atë kohë të egër e të mbrapshtë kur populli më i varfër i Europës mbante mbi kurriz peshën, dhunën e terrorin e diktaturës më gjakatare të kontinentit. Në këtë kuptim, ndërsa te romani "Parajsa e mallkuar" autori synoi të nxirrte në pah tablo të jetës së njerëzve në përgjithësi gjatë diktaturës, te "Robër të paqes" ai ngre një problem të rëndësishëm e disi të veçantë, pak të rrahur në letërsinë tonë: problemin e jetës dhe të punës së artistëve gjatë diktaturës komuniste.

Problemi i artistit lidhet ngushtë me problemin e sistemit nën të cilin jeton një popull. Artistët janë shtresa më e ndjeshme e tij dhe opozitarë gjithnjë me çdo lloj force politike që nuk përmbush detyrimet ndaj vendit dhe popullit. Por diktatura komuniste është aq e rreptë dhe e fuqishme sa me terrorin, djallëzinë dhe finokërinë e saj arriti që edhe këta zgalemë të së vërtetës t’i shndërronte në "robër të një lufte të pazëshme nën bekimin e paqes… Po, po! Robër të paqes"… (f.91). Prandaj dhe disa nga figurat më të shquara të letërsisë shqiptare që bëhen personazhe të këtij romani, nuk tregojnë për ndonjë dëshirë, mburrje a servilizëm të autorit për njohjen" me ta, por përkundrazi demostrojnë një përpjekje tejet serioze për të zbuluar mesazhin që gjatë diktaturës edhe talente elitarë si Kadareja apo Agolli u detyruan të mbijetonin me veprat e tyre, pra, në një farë mënyre, pavarësisht nga bindjet dhe fryma opozitare ndaj rregjimit, edhe ata ishin "robër" të paqes. Dhe kur qenë këta, merreni me mend pastaj sesi mund të ishte radha e tërë shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë. Natyrisht, pati edhe shkrimtarë që nuk e duruan më dhunën komuniste, iu mbyllën të gjitha shtigjet, çanë ferrën e u arratisën si p.sh., shkrimtari me të ardhme Bilal Xhaferri, figurën e të cilit Shefki Hysa e ka përshkruar me dashuri jo vetëm në këtë roman, por edhe në vepra të tjera të tij.

Pra, "Robër të paqes" ndonëse i bën një portret tërheqës shkrimtarit të shquar Ismail Kadare, nuk është thjesht roman personal për Kadarenë, por për artistin shqiptar në përgjithësi gjatë diktaturës. Nga ana tipologjike mendoj se është roman artistik me sfond historik e dokumentar. Një lloj letërsie e tillë sa vjen e po e tërheq gjithnjë e më tepër lexuesin e sotëm.

Subjekti i romanit është i thjeshtë. Në një qytet bregdetar të Jugut vjen për pushime shkrimtari Ismail Kadare bashkë me familjen. Krijuesit e qytetit me në krye Cifen, kryetarin e degës së Lidhjes së Shkimtarëve dhe Artistëve të Rrethit gjallërohen dhe veçanërisht Cifja, Xheki dhe Piroja i bëjnë shkrimtarit dhe familjes një pritje të ngrohtë. Gjatë atyre ditëve që qëndron me pushime Kadareja shndërrohet në qendër kryesore të vëmendjes jo vetëm të shkrimtarëve e të artistëve të atjeshëm, por të të gjithë njerëzve. Dhe kështu vazhdon e shtillet romani me biseda e ngjarje të ndryshme për Kadarenë, për veprat dhe mendimet e përparuara për kohën.

Në paraqitjen e figurës së shkrimtarit të madh, autori i romanit veç shfrytëzimit të trillit krijues që i jep figurës karakterin artistik, pra e kthen në personazh, vë në përdorim edhe plot mbresa a ngjarje që janë të vërteta lidhur me Kadarenë. Në këtë mënyrë, me intuitën e vet autori bën portretizimin e këtij shkrimtari e personaliteti të veçantë të letrave shqipe. Kështu, Kadareja zbulohet si një "njeri i qetë, serioz, jo vetëm si shkrimtar i madhërishëm për Xhekin, Cifen apo Piron e në përgjithësi për rininë e atyre viteve, por edhe si mendimtar e filozof për artin e për jetën në përgjithësi. Në këndvështrimin e krijuesve të rinj si Xheki e Piroja ai merr përmasa të veçanta dhe kthehet në një shëmbëlltyrë për t’u imituar për vlerat e tij si krijues i madh. Duke i qëndruar besnik së vërtetës, autori, gjatë përshkrimit të figurës historike të Kadaresë, lë të nënkuptojë se ky artist i shquar nuk e pëlqente, madje e quante të gabuar përzierjen e politikës në art dhe sidomos të atyre pushtetarëve mediokër që udhëhiqnin veçanërisht ideologjinë dhe kulturën komuniste, ai nuk i honepste fare. Mjaft të kujtojmë episodin kur Kadarenë e ka ftuar për darkë, bashkë me të është edhe Cifja, sekretari i parë dhe me sa zymtësi e shpërfillje sillet shkrimtari me të.

Figurë tjetër historike që jepet me viza të shpejta në roman është edhe ajo e Dritëro Agollit, e shkrimtarit tjetër të madh që paraqitet si gjithnjë i veçantë e hokatar, me atë humorin e tij të këndshëm, edhe me veset e njohura, por gjithsesi dashamirës e babaxhan. Në vazhdën e paraqitjes së këtyre figurave të shquara e të dashura për lexuesit e veçanërisht për krijuesit e rinj, siç e kemi përmendur edhe më sipër, Shefki Hysa nuk lë pa i bërë një portret me viza të gjetura edhe shkrimtarit të tij të zemrës, disidentit të vërtetë, Bilal Xhaferrit. Duke e njohur me thellësi origjinën e tii çame, jetën dhe veprimtarinë e këtij shkrimtari trim që u arratis pasi nuk gjeti kurrfarë hapësire t’i shpaloste vlerat e tij në atdhe, me veprat që la, pasi u shua në kulmin e pjekurisë artistike, autori në vepër i bën jehonë mesazhit se nëqoftëse Bilali do të kishte pasur mundësitë në një mjedis demokratik, e jo nën thundrën e diktaturës, të shkruante e të botonte, mbase sot do të kishim edhe një kolos tjetër të letrave shqipe.

Në veprën e tij "Robët të paqes" shkrimtari Shefki Hysa, duke ndjekur rrjedhën e historisë së ngjarjeve, gjen rast të përshkruajë edhe figurën e Enver Hoxhës, gjatë një takimi që pati me shkrimtarin Ismail Kadare dhe familja e tij. Figura e diktatorit në roman jepet me viza të shpejta, siç e ka njohur çdo shqiptar, por autori i veprës me një nëntekst kuptimplotë rrëfen sesi udhëheqësi i diktaturës komuniste i udhëzonte edhe krijuesit më në zë sesi duhet t’i shërbenin kauzës së partisë.

"Para se të delnin, përveç librit të Zaharia Majanit "La fin du mistere etrusque", Hoxha i dhuroi edhe kompletin e veprave të Balzakut në frëngjisht.

- O, të mbushëm me Balzak! - bëri shaka ai.

Ishte shaka e hollë e njeriut të informuar në mënyrën më të plotë për diskutimet që bëheshin kudo në botë lidhur me raportin midis letërsisë realiste të shekullit XIX-të dhe asaj bashkëkohore, diskutime në të cilat Balzaku ishte në qendër të kundërvënieve dhe që nuk kishin kaluar pa njëfarë jehone edhe te ne. Vështrimi i qeshur i Hoxhës e ka patjetër edhe një nëntekst, mendonte Kadareja. Don të thotë, besoj: "Në krijimet letrave mos ji realist kritik si Balzaku, ndërkohë bëj atë që bëri ai, dil prej bindjeve të tua dhe përkundër tyre, kushtoju metodës së realizmit socialist, përshkrimit të realitetit në zhvillimin e tij revolucionar. Kështu do të sjellësh në letërsi realitetin e bukur të së ardhmes me në qendër heroin pozitiv…" (f.156).

Përveç personazheve historike, në të cilat gërshetohet krijimi i autorit me të dhëna dokumentare, në romanin "Robër të paqes" janë vizatuar edhe një sërë figurash të personazheve krejtësisht artistike me cilësi dhe karakteristika të veçanta. Ndër ta mund të përmendim çiftin Xheki – Pirro, dy djem të rinj të talentuar, i pari në fushën e letërsisë dhe i dyti në atë të pikturës, të dy me ëndrra për të ardhmen që të bëjnë karrierë në fushat përkatëse, të bëhen dikushi në jetë, por që regjimi komunist edhe këtyre artistëve të rinj e me të ardhme nuk ua hap dyert lehtë për shkaqe të biografisë. Këta dhe plot të tjerë si këta e kanë Kadarenë si krijues model imitimi dhe frymëzimi, kanë për të respekt të madh edhe pse për shumë gjëra që lidhen me shkrimtarin e madh diskutojnë mesvedi. Më gjerë është trajtuar figura e Xhekit, i cili si personazh simbolizon deri diku autorin vetë e që jepet edhe në planin intim, në marrëdhëniet me Esmeraldën.

Personazh i dhënë me mjeshtri është edhe Cifja, një tip i gjallë, gazmor e plot humor, i cili vërtet ka kaluar një kalvar jo të lehtë në jetë, por ka ditur të manovrojë e të mbijetojë falë karakterit të tij të fortë. Cifja është admirues i Kadaresë dhe i veprës së tij, prandaj si Xheki e Piroja ka edhe ky respekt e simpati të pamatë për shkrimtarin e madh.

Dihet mirëfilli se diktatura komuniste kishte si levë kryesore për mbajtjen e pushtetit me dhunë Sigurimin e Shtetit. Shkrimtari Shefki Hysa te "Robër të paqes" ka bërë përpjekje dhe mendoj se ia ka dalë mbanë të skalisë me viza të gjetura figurën e njeriut të Sigurimit, Ramush Kalecit. Që nga mbiemri i këtij njeriu të pështirë lexuesi e kupton se autori këtë figurë e ka vënë në fokus që ta demaskojë e denigrojë për zanatin e tij të ndyrë. Ka një pasazh në roman ku figura e Ramushit ironizohet në mënyrë aq groteske e tallëse sa bëhet si zhele: "Xheki, çuditërisht, si me magji ishte shndërruar në hije. Dhe ishte i padukshëm për sytë e Ramush Kalecit. Një gjendje e mrekullueshme, e papërceptueshme për një mendje të zakonshme të qenurit hije. Pa shiko se si vërtitej fluturimthi nga ia donte qejfi në atë gjendje fantazmagorike. Shihte gjithçka, gjithkënd dhe pa u parë prej askujt. Këtu qëndronte lezeti i asaj gjendjeje të re që po përjetonte. Ja, Ramush Kaleci! Pa t’i afrohemi. Ashtu. Asgjë nuk ka ndjerë ende. Edhe frymë si makut merr, sikur do ta përlajë tërë oksigjenin për të afiksuar qëniet e tjera. Armiqtë. Dhe ç’fytyrë të fryrë "si simite më ka, u gajas Xheki dhe fap e goditi me majën e gishtit tregues në hundë". Ramushi me një pamje prej budallai kroi hundën dhe një hop përgjoi si të donte të kapte në befasi ndonjë brumbull bezdisës. Xheki u shkri së qeshuri, hata fare të talleshe ndopak me këtë rondokp surratsimite. E gudilisi në qafë dhe pa e lënë të mbledhë veten i përdrodhi lehtas njërin vesh, pastaj tjetrin. Ramushi ndali në vend gojëhapur si t’i kishte rënë pika. O, ç’gallatë!…"

Figura e hijes që përndjek Ramush përndjekësin dhe elemente të tjera të së magjishmes si episodi i përshkrimit të ngrehinës së Ferrit, apo episodi i kthimit pas në kohë ku realizohet takimi i Kadaresë me mbretin Piro të Epirit, etj., të sjellin ndërmend atmosferën e magjishme që gjallon në eposin popullor çam dhe njëkohësisht të kujtojnë se sa me mjeshtëri i shfrytëzon autori Shefki Hysa të tilla gjendje ëndërrore në krijimtarinë e tij, duke shkrirë mrekullisht si me magji realen me irealen, jetën e vërtetë me ëndrrat e personazheve, duke u bërë kështu përfaqësuesi tipik i një lloj rryme të re të realizmit magjik me karakteristika nga më shqiptaret, disi i ngjajshëm me realizmin magjik që karakterizon veprën e Gabriel Garcia Markesit…

Ramush Kaleci është prototipi i ndjekësit, spiunit, i zagarit që i vete pas "gjahut" të vet dhe e persekuton derisa i bën gjëmën. Në një mënyrë të tillë ai ndjek edhe Kadarenë kur vjen në qytetin jugor bregdetar gjoja "për ta ruajtur", por në të vërtetë edhe për ta survejuar se ç’bën e me kë rri ai. Interesante në roman është edhe historia "e vjedhjes" së librit të Kadaresë që në fund përfundon në një blof për Ramushin dhe ky demaskohet përfundimisht.

Vepra e Shefki Hysës dallohet për një stil të zhdërvjellët e energjik, për një gjuhë të pastër, për një dialog të gjallë e tërheqës e për imtësi shprehëse të gjetura të cilat në tërësi e bëjnë të lexohet me interes e kërshëri nga ata lexues që kanë kërkesa të mësojnë sa më shumë nga ajo periudhë e zymtë e historisë sonë, nga koha kur sundoi diktatura komuniste.

Sokol Jakova

AUTOPSI E "PARAJSËS SË MALLKUAR"
Shënime për romanin "Parajsa e mallkuar" e shkrimtarit Shefki Hysa


Autori i romanit "Parajsa e mallkuar", titull tejet sugjestionues, shkrimtari i njohur Shefki Hysa, tanimë në moshë të pjekur dhe me një përvojë të pasur artistike, për kërshëri të lexuesit, ka kaluar një kalvar të vështirë në krijimtarinë e tij gjatë sundimit komunist, derisa era e demokracisë ia nxori në dritë të diellit talentin dhe aftësitë, çka e vërtetojnë mirëfilli një aradhë librash në prozë si romane, ashtu dhe përmbledhje me tregime. Për këtë prozator pengu ishte "njolla" biografike, e cila, si për plot krijues apo njerëz të thjeshtë, bëhej si një digë e fuqishme dhe e pakapërcyeshme në atë kohë. Pra për cilindo krijues të vërtetë gjatë periudhës së diktaturës komuniste, ishte e vështirë që të shpaloste pasurinë shpirtërore që i vlonte në shpirt, për të mos thënë pastaj krijues si Shefki Hysa me cene biografike, pavarësisht vlerave dhe talentit të veçantë që karakterizonin individualitetin dhe krijimtarinë e tij artistike.

Përpara se të lexojë romanin "Parajsa e mallkuar", çdo njeri duhet të marrë me mend se autori i veprës, ose më saktë një artist që gjatë jetës ka hequr mbi kurriz vuajtje dhe mundime të panumërta, për shkak të biografisë me "njollë", ka pasur jo vetëm përçmim dhe urrejtje të ashpër, por dhe një mllef të madh që i ziente në shpirt për atë periudhë të humbëtirës. Pikërisht këtë kompleks ndjenjash që i vorbullonin vetëdijen, autori i ka derdhur në përmasa të veçanta artistike në romanin e tij "Parajsa e mallkuar". Për ta bërë një gjë të tillë krijuesit Shefki Hysa i kanë shërbyer mirëfilli një sërë mjetesh artistike të gjetura, të cilat spikatin në roman si peizazhi, nënteksti, grotesku në paraqitjen e disa personazheve, ironia, sarkazma etj.

Vepra në dukje dallohet për një kompozicion të thjeshtë, që shtillet në mënyrë drejtvizore, me kapituj të shkurtër që gërshetohen me njëri-tjetrin dhe si një "mozaik" shpalosin subjektin, ngjarjet, mjedisin ku zhvillohen ato dhe personazhet e shumtë. Por në teknikën e rrëfimit, që të ngërthejë material sa më të bollshëm jetësor në strukturën kompozicionale, autori ka shfrytëzuar një gjetje të goditur, duke alternuar në vazhdën e kapitujve të shkurtër, herë rrëfimin në vetën e tretë, pra rrëfimin e autorit, e herë rrëfimin në vetën e parë, rrëfimin e heroit të romanit, Xheki Vilëzës. Kjo teknikë rrëfimi jo vetëm ia ka zgjeruar romanit hapësirat përshkruese, por ka forcuar përnjimend psikologjizmin në individualizimin e personazheve dhe në zbulimin e karaktereve që mishërohen në to.

Pa dashur t’ia shuajmë kureshtjen lexuesit, po përmendim shkurtimisht disa elemente të subjektit. Ngjarjet e veprës shtillen në një qytet të largët verior, më saktë në një qytezë minatorësh, ku për shkaqe biografike heroin e romanit shkrimtarin dhe gazetarin e talentuar Xheki Vilëza e kanë degëdisur si mësues. Atje ai njihet me lloj-lloj njerëzish, të mirë e të liq, që nga kamerieri Gjuran e deri te Babëloku, personazhi më negativ, më i urrejtur e i përçmuar i veprës. Djaloshi njihet edhe me femra dhe me njërën prej tyre, nxënësen e tij, Rozafën jetime bie në dashuri, por kjo ndjenjë e fuqishme në fund të romanit përfundon tragjikisht, çka përcjell njërin nga mesazhet kryesore të veprës që tragjedia në atë mjedis të "Parajsës së mallkuar" ishte shoqëruesja e vetme e jetës. Dhe vërtet me tragjedi nis romani, me varrimin e një minatori që është vrarë nëntokë e me tragjedi përfundon nën sfondin e një natyre të murrëtyer, shpesh herë me shi që ndjell vetëm zi. Ky peizazh i dhënë me mjeshtri nga autori përmes penelatash të goditura bëhet i prekshëm dhe tejet i ndjerë për lexuesin, që nga faqja e parë e deri te faqja e fundit e romanit.

Prej frymëzimit dhe njohjes së thellë të jetës, cilësi këto të romanit të Shefki Hysës, edhe një lexues i thjeshtë e kupton se autori në vepër ka shfrytëzuar mjaft elemente të biografisë dhe jetës së tij personale. Kjo është e vërtetë. Por, si në çdo vepër artistike, edhe Shefki Hysa në romanin e tij nuk ka mbetur rob i së vërtetës historike, por, duke i dhënë krahë imagjinatës së tij krijuese ia ka dalë mbanë me sukses të nxjerrë nga duart një prej librave të tij më të realizuar.
Niveli artistik i romanit spikat jo vetëm në pasqyrimin me realizëm dhe vërtetësi jetësore të realitetit të kohës, në analizën artistike të një problematike të pasur, të ngjeshur e të ndërlikuar të këtij realiteti, por sidomos në poetikën e formës së romanit: në vizatimin e personazheve, në paraqitjen e mjediseve ku ato veprojnë, në mjetet e larmishme e tropet e shumta që shfrytëzohen për zbulimin e tyre si të gjallë në sy të lexuesit e veçanërisht te e magjishmja që dominon hera-herës realen. Pra, nëpër realitetin artistik të veprës fryjnë jo rrallë erërat e një rryme që të sjell ndërmend elementet e një realizmi magjik si në veprat e Markesit. Me një stil lakonik, herë-herë si të një proze poetike, e herë-herë edhe me ngjyresë publicistike, karakteristikë e prozës së sotme bashkëkohore, shkrimtari Shefki Hysa arrin të na japë në roman plot figura artistike e një mjedis të gjallë e të zymtë të jetës dhe punës së vështirë në qytezën e minatorëve, që të mbeten ndër mend.

Peshën kryesore të problematikës dhe mesazhit të romanit lexuesi e gjen te heroi i tij Xheki Vilëza. Përfytyro, i nderuar lexues, një djalë të ri që ka nisur të bëjë emër me shkrimet e tij, me plot ëndrra për të ardhmen që t’i japë udhë karrierës në sajë të talentit dhe aftësive profesionale, të degëdiset në një skutë të largët e të humbur, ku njerëzit rropaten në mjerim e varfëri, për shkaqe që sot, veçanërisht për të rinjtë, tingëllojnë absurde, por për atë kohë të mykur ishin fort "të rëndësishme". Figurën e heroit të veprës që njësohet me vetë autorin, ky e ka vizatuar me realizëm e me nostalgji për rininë e humbur dhe ëndrrat e vrara. Vizat e kësaj figure janë të theksuara si në portretin e jashtëm, ashtu dhe në cilësitë shpirtërore. Një djalë fisnik tërheqës, i dashur dhe i sinqertë, me karakter të fortë, me adhurim të veçantë për jetën dhe njerëzit, me shpirt të ndjeshëm artisti, i ndershëm deri në verbëri, trim dhe i rebeluar prej realitetit të vendit të tij të dashur, këto janë pak a shumë kufijtë ku gjallon bota shpirtërore e heroit. Xheki Vilëza që vjen nga jugu ku fryjnë flladet e buta joniane, gjen në atë qytezë të largët veriore, me shumë dimër e acar, njerëz e miq të mrekullueshëm si Gjuranin, drejtorin e shkollës, Xhimin, dhe të shoqen, Najadën, njihet me të dashurën e tij, vajzë e shkëlqyer, Rozafën, me të cilën dëshironte të lidhte jetën, por që nuk e la "dora e hekurt" e përbindëshave të zinj të asaj kohe, të cilët ndienin kënaqësi për fatkeqësitë e të tjerëve. Nga ana tjetër, Xheki njihet edhe me monstra të tilla si Babëloku, që bënte ligjin mizor në krahinë, me injorantë si Dudumi, me femra të tilla të degjeneruara nga jeta e zvetënuar e vanitoze si Demona apo dhe si Diella, së cilës ia lëbyr sytë luksi përrallor e plot salltanete i bajraktarit Babëlok, prandaj bie në prehrin e tij.

Galeria e personazheve të romanit është e pasur. Autori ka mundur që përmes mjeteve të larmishme artistike të individualizojë secilin prej tyre. Tanimë, pas kaq vitesh, me një formim e përvojë të lakmueshme në mjeshtrinë artistike, e cila spikat edhe në veprat e tij të mëparshme, ai ka realizuar figura të tilla si Babëloku, ky përbindësh i vërtetë, që për mendimin tonë, nuk hasen shpesh në letërsinë e sotme shqiptare.

Jo më kot autori në vepër e vë në fokus të analizës artistike figurën e Babëlokut pas disa kapitujsh të romanit. Kjo gjetje të kujton dhe përqaset mirëfilli me Uriah Hipin e Dikensit, të cilin autori e përball me lexuesin pas kapitujve të parë të "David Koperfildit". Te "Parajsa e mallkuar", pasi shfaqet, Babëloku vihet në epiqendër të pjesës së mbetur të romanit.

Ja me ç’viza jepet portreti i këtij njeri-përbindësh:

"Habitej madje dhe me frymëmarrjen e pazakontë të Babëlokut. Shfrynte njëherësh prej hundës dhe të një valvole të montuar në fyt, ca dufe të thella: çuf-çuf e çuf-çuf si të imitonte një lokomotivë me avull. Thuhej se dikur i ishte shpifur në grykë një çist kanceroz, që i dëmtoi kordat e zërit dhe i vështirësonte frymëmarrjen. Pas operimit, poshtë kombit të gushës, dukshëm, i kishin montuar një valvol, si një hundë shtesë për të përmirësuar procesin e frymëmarrjes. Dhe valvola shfrynte ritmikisht dhe provokonte kureshtje.

Babëloku, në pamundësi për të folur lirisht me zërin e tij, shprehej me nojma. Mbante një suitë rrotull që i shërbenin dhe njëkohësisht deshifronin nojmat për bashkëbiseduesit. Mimika e fytyrës dhe lëvizjet e kokës dhe të duarve të tij ishin shndërruar tashmë në një libër kodesh që lexohej orë e çast prej shërbëtorëve. Babëloku sillej brutal me suitën e vet. I trajtonte si lolot edhe ndihmësit dhe këshilltarët më besnikë. Mospërfillës shtirej edhe ndaj trimave, gardës së tij mbretërore, siç i quante ata që i ruanin jetën. I pëlqente të sundonte përqark si mbret dhe në fakt ishte shndërruar në një lloj mbretuci.

Thoshin se nuk respektonte asnjë autoritet mbi veten. Madje sillej përbuzës edhe me ata lart, oborrtarët e të Parit fare. Nganjëherë nuk ia përtonte edhe të Parit me ndonjë të sharë ashtu përkëdheltaz..."

Dhënia me kaq vërtetësi përmes një përshkrimi sa tallës, aq dhe grotesk i kësaj figure të fëlliqur që simbolizon dhunën, fyerjen, mizoritë apo më saktë "kopanin a tokmakun e diktaturës" është bërë me një nëntekst dhe me një mllef të veçantë, i cili është mllefi i njerëzve të thjeshtë me shpirt fisnik të asaj kohe, që provuan mbi kurrizin e tyre të nëntëdhjetë e nëntat, provuan mizoritë e pashembullta, fatkeqësitë më çnjerëzore, plagët që kullojnë ende gjak të atij sistemi të llahtarshëm, i cili bënte të dridhej edhe foshnja në bark të nënës. Për këtë sistem dhe lakejtë e tij ishin mëse të rëndomta vrasjet e minatorëve në minierë, masakrimi i Albanit dhe i Rozafës, depersonalizimi i Zudiut, Demonës, Diellës etj. Pra i tillë ishte realiteti i asaj kohe të humbëtirës që autori me ironi e sarkazmë e ka quajtur "Parajsa e mallkuar".

Duke gjykuar nga vlerat artistike të këtij romani, mund të themi me plot gojën që shkrimtari i talentuar Shefki Hysa me këtë vepër i ka bërë një autopsi të vërtetë kësaj "parajse", këtij "gulagu komunist", gjurmët e plagët e të cilit do të mbeten përjetësisht të pashlyera.


SOKOL JAKOVA
Vepra e një autoreje me të ardhme
Shënime për romanin "Me putrat tona shëtitëm botën" të autores Xhilia Xhekaj

Kur gjykon një vepër letrare, padyshim duhet të kesh parasysh edhe moshën e autorit apo autores së saj. Në rastin tonë tek lexon romanin "Me putrat tona shëtitëm botën" të Xhulia Xhekaj, autore e re, në moshën e fëmijërisë, bindesh plotësisht se ke të bësh me një talent në fushën e letërsisë që do të ketë të ardhme me veprat që do të krijojë, natyrisht po e vazhdoi këtë rrugë. Përse?

Së pari romani i Xhulia Xhekajt dallohet për një gjetje sa të qelluar, aq dhe interesante. Dhe kjo nuk është pak për një vepër artistike. Që të mos i zbehim kureshtjen lexuesit, nuk po i rrëfejmë subjektin e veprës, por duam të shtojmë se gjetja apo fabula që ka krijuar autorja, e cila si një ngrehinë e mban romanin e saj, është pjellë e një fantazie të admirueshme, ç'ka për një krijuese si Xhulia, është një dhunti e veçantë për të mos thënë fat, që ia ka dhënë natyra. Në këtë kuptim, Xhulia lipset të dijë që i është dhuruar një dhunti që pakkush e ka e që, po diti, me përkushtim e punë të palodhur, do ta shfrytëzojë në të ardhmen për të krijuar vepra të bukura, me cilësi artistike e me peshë.

Së dyti, fantazia e ndezur e romanit, që lexohet me kureshtje, shpesh të lë mbresa të thella e të befason, sa thua me vete se si i ka vajtur në mendje autores së re për të krijuar me shije e me mjeshtëri, situata të tilla interesante, plot humor, në të cilat enden personazhe-mace, po kaq interesante si Arsa, Bina, Kuqoja, Otomina, Riki, Sui, Xhoi, Steberei, të cilat shëtitën botën siç shprehet autoria qysh në titullin "Me putrat tona shëtitëm botën".
Lexuesit do të kenë mundësinë që të njihen me bëmat gjurmëlënëse të këtyre maceve-personazhe, me shëtitjen e tyre, me aventurat që kalojnë ato, me teta Shadiskën e vetmuar, së cilës i ngjallin kënaqësinë e fëmijëve që i janë larguar e me plot ngjarje të tjera të përshkruara jo vetëm me fantazi, por edhe me njëlloj naiviteti ç’ka shpjegohet me moshën e autores.

Së treti, vepra dallohet për gjallëri e temporitëm. Është shkruar me një stil të shkathët, modern, pa zvarritje e proliksitet. Si mjet artistik për zbulimin e personazheve në të mbizotëron dialogu, një dialog plot ritëm e nerv artistik. Ç’do gjë në vepër është në lëvizje, në aksion. Autores Xhulia Xhekaj nuk i hyjnë në punë përshkrimet e zgjatura, përkundrazi asaj i pëlqejnë batutat e personazheve të saj të dashur, me të cilat sillet e vepron sikur janë në një lojë, në një lojë fëmijësh. Mendoj se pikërisht këtu qendron një nga pikat e forta të romanit, i cili besoj se do të lexohet me ëndje e kureshtje prej të vegjëlve. Ajo shpalos një botë fantastike, tejet fëmijnore, plot gjallëri, ç’ka është e tepërt të themi se është e pëlqyeshme prej fëmijëve.

Edhe mbyllja e romanit, kur teta Shadiskës, pasi i ikin macet e dashura, i vijnë fëmijët, është kuptimplotë dhe e gjetur artistikish. Kësisoj gjithçka, tërë ato ngjarje e aventura plot ritëm, gjallëri e humor, mbyllen me një situatë simbolike që shpalos mesazhin: në jetë, çfarëdo që të ndodhë, tek e fundit mbizotëron malli për vendlindjen, dashuria për të afërmit, për njerëzit e për gjithçka të mirë e të dobishme.

Ky është romani i Xhulia Xhekajt; le t’jua lëmë juve lexues të gjykoni më mirë për të...

Sokol JAKOVA

Thursday, March 13, 2008

PROBLEMET E JETËS SË SOTME
NË LIBRIN "PENDIMI"

Shënime për novelën "Pendimi" të shkrimtares Liri Hidërshaj

Këtë radhë shkrimtarja Liri Hidërshaj në novelën e saj "Pendimi" ka vënë në qendër të subjektit të veprës problemet e sotme të mprehta të jetës shqiptare. Si të gjithë krijuesit, duke nuhatur pulsin dhe ritmin e kësaj jete, autorja, edhe si nënë, si mësuese e psikologe, mendojmë se përmes një subjekti interesant, ia ka dalë mbanë që në këtë novelë, të cilën, ju lexues të nderuar do ta lexoni, të shpalosë mesazhe sa aktuale, aq dhe humane.

Në qendër të veprës janë vënë problemet e marrëdhënieve familjare dhe të emigracionit që i ka shpërndarë sot shqiptarët nëpër botë për një jetë më të mirë, por dhe që, në njëfarë mënyre, ka zbehur edhe dashurinë mes njerëzve e sidomos të afërmve, që i ka degëdisur këta njerëz nëpër skuta të tilla aq të thella e të largëta sa edhe të humbasin. Jo më kot autorja e nis novelën me një situatë ku flitet për emisionin aq tërheqës e të kërkuar "Ku je?".

Pa dashur të zbulojmë subjektin e novelës, për të mos zbehur kureshtjen tuaj gjatë leximit të saj, mund të themi se autorja, përmes një kompozicioni të thurur me kujdes, ka arritur t’i organizojë ngjarjet e veprës në mënyrë të tillë, që, tek e lexon atë, ndien vërtet dramacitetin e jetës së sotme shqiptare dhe të problematikës së saj. Personazhet e skalitur janë realistë, karakteret e tyre shpalosen gjithnjë e më mirë gjatë veprimit të tendosur të veprës me botën e tyre shpirtërore, me veçoritë e karakteristikat e tyre të veçanta. Në këtë novelë, në krahasim me veprat e mëparshme, mendojmë se autorja ka bërë hapa përpara pikërisht në drejtim të skalitjes së personazheve, thellimit të psikologjizmit etj., çka tregon se shkrimtarja Liri Hidërshaj po arrin në fazën e pjekurisë së saj artistike. Si në një ekran filmi, lexuesi njihet me novelën "Pendimi" me figura të tilla si Andi, Albana, Roena, Leti, babai i Andit, Sofia etj., që janë realizuar me dëshirë e përkushtim nga autorja e veprës.

Në thurjen kompozicionale, autorja për ta bërë veprën tërheqëse dhe interesante, mes të tjerash, ka shfrytëzuar edhe digresionet, duke i dhënë kompozicionit formën e një mozaiku. Kjo i ka dhënë veprimit të subjektit të novelës një ritëm më të shpejtë dhe ka shmangur proliksitetin në vepër. Me një narracion, jo rallë të pasur me trope artistike, autorja ka arritur të përshkruajë në novelë situata të tilla dramatike që të mbeten ndër mend, pasi janë vërtet emocionuese dhe jetësore. Kështu mund të përmendim historinë e Albanës nga qyteti S., skenën kur i ati i Andit vjen i pirë në shtëpi nga vuajtja e madhe e shkatërrimit të marrëdhënieve familjare, historinë e Ariolës, episodin kur Andi gjendet përpara varrit të së motrës, Sofisë, në Itali dhe mbylljen emocionuese të novelës.

Ecuri tjetër e autores, në krahasim me veprimtarinë e saj të mëparshme, është edhe gjuha më e pasur, dialogu më i shkathët e më i ngjeshur, qëmtimi i detajeve dhe imtësive shprehëse.
Prandaj kjo novelë tregon se krijimtaria artistike e Liri Hidërshajt po vjen në ngjitje dhe ky është një sukses për të.

Siç përmendëm më sipër, novela lexohet me kërshëri, të ngjall emocione. Këto mendojmë se do t’i ndiejë edhe lexuesi, kur të shfletojë faqet e saj.

SOKOL JAKOVA
NË SHTIGJE PAK TË SHKELURA
TË ETNOGJENEZËS SË SHQIPTARËVE

(Mendime për librin me vlera historike
"Dodona, tempulli i lashtë i Shqipërisë"
të autorit Rasim Bebo)

Problemi i etnogjenezës së popullit tonë ka qenë dhe mbetet një çështje e rëndësishme mes çështjeve të mëdha që janë objekt studimi i historiografisë shqiptare. Plot diskutime e debate janë zhvilluar e zhvillohen edhe sot për të gjetur e vërtetuar shkencërisht se nga e ka prejardhjen populli ynë që nga studiuesit konsiderohet si një nga popujt më të lashtë, në mos më i lashti, i Ballkanit. Fatkeqësisht, në arkivat shqiptare mungojnë dokumentet që pa dyshim kanë humbur në vorbullën e shekujve e të mijëvjeçarëve.

Dihet gjendja e sotme politike e shoqërore në Shqipëri ku shkenca, kultura e arti po kalojnë një krizë, dhe problemi madhor i etnogjenezës nuk e ka atë interesim që lipsej prej shkencëtarëve dhe studiuesve shqiptarë, por që, në mënyrë paradoksale, ka zgjuar edhe më tepër interesimin dhe kureshtjen e studiuesve të huaj.

I parë në këtë kuadër, libri "Dodona, tempulli i lashtë i Shqipërisë" i studiuesit të vjetër në moshë e profesion, Rasim Bebos, sjell një ndihmesë me vlerë lidhur me prejardhjen e shqiptarëve, por njëkohësisht, u shpalos grekëve, fqinjëve tanë jugorë, historisë së tyre, se cili ka qenë modeli i vërtetë i shqiptarit apo i arvanitit, siç na quajnë ata, ç’lashtësi ka pasur ky popull që, në një kuptim, ua kalon edhe lashtësisë së tyre, duke edukuar kështu te brezat e rinj të popullit tonë ndjenjën e krenarisë kombëtare, dinjitetit, të mospëruljes e nënshtrimit ndj grekëve, në trojet e të cilëve sot punojnë rreth 600 mijë emigrantë e ku, mbi të gjitha, gjendet një "krah shqiponje i thyer", krahina e Çamërisë me pasuritë e panumërta të saj. Studiuesi i njohur arvanitas, i cili ka qenë për disa vite rresht kryetar i "Lidhjes Arvanite të Greqisë", shkruan: "Greku përpara se të kthehej në grek ishte arbanit, domethënë pellazg. Gjuha jonë arbanishtja është më e hershmja e gjuhës së lashtë greke, që i thonë gjuha homerike. (Aristidh P.Koljas "Proklamata", Botimet "Dritero", f.40, Tiranë).

Titulli simbolik i librit të Rasim Bebos sqarohet që në fillim: "Tempulli i Lashtë i Dodonës ndodhet në jug të Janinës, 22 km, në luginën midis malit Tomaro dhe Monalisë. Data parahistorike tregon se ky vend qe pagëzuar si Zot i Tokës. Aty shkonin klerikët pellazgë të Çamërisë dhe kryenin detyrat e tyre fetare te perandoria e Diellit – Zeusi.
Ky kult është sjellë në Dodonë nga Selloi i fisit thesprot (çam) midis shekujve 19-14 p.e.s. Klerikët e asaj kohe kishin si detyrë të lajmëronin popullin që jetonte rrëzë malit me një çangë, së cilës i binin shumë herë për të lajmëruar të gjithë banorët se doli dielli.

Thuhet se nga të rrahurat ritmike të çangës "don, don don..." edhe liturgjia mori emrin Dodonë".
Duke u mbështetur kështu në tezën e njohur të prejardhjes pellazge të popujve që jetojnë sot në trojet e Ballkanit e më gjerë, Rasim Bebua nis analizën në shkrimet e tij për të vërtetuar autencitetin e kësaj teze, e cila tanimë ka marrë përhapje të gjerë. Sipas Herodotit, Dodona ishte orakulli më i lashtë në Pellazgji. Kjo e dhënë fort e rëndësishme i shërben autorit më pas që në shkrimet e tij të përmbledhura në këtë libër, duke shfrytëzuar edhe një literaturë të gjerë e të pasur nga plot hulumtues e studiues shqiptarë e të huaj, të arrijë në përfundimin e spikatur se shqiptarët, pasardhës të ilirëve, që kanë pasur rrënjët te populli i moçëm pellazg, të jenë stërnipërit më të lashtë të banorëve të Ballkanit.

Në të vërtetë libri i Rasim Bebos përmbledh një sërë shkrimesh e artikujsh të veçantë, shumë prej të cilave autori i ka botuar në shtypin periodik. E, megjithëkëtë, ky material i bollshëm është renditur në libër sipas një boshti të gjetur kompozicional, i cili ka lënë shteg që shkrimet e artikujt të kenë midis tyre një lloj lidhjeje.

Pas një vlerësimi të veprës të titulluar "Libër i një moshe me autorin", shkruar me dashamirësi nga Dalan Luzaj, banues sot në Çikago të SHBA-së, kapitulli i parë i veprës së Rasim Bebos me titull "Dodona" shtjellon gjerësisht, përmes citimesh e referencash të shumta, historinë e tempullit të lashtë të Dodonës. Në këtë kapitull, në bazë të të dhënave të shumta historike, autori Rasim Bebo i jep përgjigje pyetjes "Po grekët? Nga erdhën ata?. Rreth vitit 2000 para erës sonë një popull i paqytetëruar greqishtfolës depërtoi ngadalë nga stepat ruse në drejtim të jugut, duke kaluar përmes Danubit në Gadishullin Ballkanik, së bashku me kopetë e tufat e bagëtive. Rreth vitit 1500 p.e.s. deri në vitin 1100 të sapoardhurit zunë të përhapeshin në hapësirën jugore të gadishullit".

Më pas, në kapitullin e dytë të librit, kapitull që titullohet "Shqiponja", Rasim Bebua, pas një analize të gjatë, mbështetur në të dhëna e dokumente të shumë studiuesve, arrin në përfundimin, edhe sipas Homerit, se "Shqiponja e murrme zeshkane e Zeusit pellazgjik të Dodonës së Epirit ishte shpendi më i dashur, korrieri lajmëtar dhe shoqëruesi i përhershëm i Zeusit Pellazgjik, i cili ishte Perëndia e Diellit në Dodonën e lashtë pellazgjike të Epirit që quhej Pellazgjia"" (Shih edhe Herodotin 2:56; Eskil 658-62, Dodona, fshati i sotëm Kastrica disa këmbë pranë Janinës).

Me interes të veçantë në libër është analiza që i bën studiuesi Rasim Bebo librit të Zaharia Majamit "Etruskët zunë të flasin". Duke shfrytëzuar të dhëna historike e gjuhësore, në këtë syth të librit, arrihet në përfundimin se etruskët dikur flisnin një gjuhë të ngjashme me shqipen. Më pas për të vërtetuar tezën e tij të prejardhjes pellazge të popujve të Ballkanit, Rasim Bebua i referohet edhe librit "Enigma", në shtatë vëllime të studiuesit francez Roberto d’Angelit. Njëkohësisht Rasim Bebo i referohet edhe librit "Shqiptarët" të George Fred Williams. Për këta libra historikë me vlerë, në veprën e tij voluminoze, autori bën nga një përshkrim të shkurtër, duke u ndalur në ato të dhëna historike që janë në dobi të tezës së prejardhjes pellazge të popujve të sotëm të Ballkanit.

Mjaft interesant është edhe kapitulli i tretë i librit, kapitull që titullohet "Mbi ekspeditën e Aleksandrit të Madh". Të tërheq vëmendjen fakti në këtë kapitull kur autori thotë: "Olimpia, nëna e Aleksandrit ishte epirote, pra gjuha e nënës së Aleksandrit ishte gjuha shqipe. Në librin "Enigma" autori i tij këmbëngul në atë që fjala "epiriot" do të thotë shqiptar e aspak "helen", "Epiriotika lingua" gjithnjë kuptohet "Gjuha shqiptare" dhe kurrë "Ellonikn lingua". Mbreti Filip i Maqedonisë, babai i Aleksandrit kishte lindur në Argos (vend pellazg) në kufi me Epirin. (Aleksandri i Madh f.14. G.Radot 1931) Aleksandri i Madh, me origjinë shqiptare dhe helene, në sajë të edukimit në gjuhën greke, i ndoqi studimet nga Aristoteli, një shqiptar nga qyteti Stagire. Përmes gjuhës të nënës, epirote apo shqiptare, Aleksandri u jepte kurajë dhe komandonte gjeneralët e tij gjatë ekspeditës së tij ushtarake. Me këtë gjuhë ai u fliste shokëve e ushtarëve të ushtrisë së tij të jashtëzakonshme, gjuhë që kuptohej nga të gjithë. Shumica e popullatës ishte pashkollë dhe greqishtja moderne ishte e panjohur, sepse ajo filloi të formohej mbi dhjetë shekuj më vonë." (Salang d’Angeli, përktheu L.Rama).

Më tej autori i librit i bën një përshkrim të spikatur edhe komandantit e prijësit legjendar Pirros së Epirit. Portreti i Pirros së Epirit – thotë ai – në emblemën e shoqatës çame, është simbol për respektin e të parëve nga paraardhësit e tij thesprotë – çamë të truallit ilir. Sipas E.Jasques në veprën e tij "Shqiptarët", f.14 "Shqiptarët, një popullsi dhjetëmijëvjeçare, janë pasardhës të pellazgeve parahistorikë dhe të stërgjyshërve më të afërt ilirë".

Për ta shtjelluar më thellë tezën e mësipërme, autori e titullon kapitullin e katërt të librit të tij "Cilët janë shqiptarët?". Duke iu referuar shumë autorëve e studiuesve shqiptarë dhe të huaj, i bën një përshkrim të hollësishëm Despotatit të Epirit dhe evidenton figura të tilla historike si kryezotin çam Gjin Bua Shpata, Mërkur Bua etj.

Kapitulli tjetër i librit që titullohet "Shqiptarët në Ballkan" merret me historinë dhe kuadrin e vendosjes së këtij populli në Ballkan si pasardhës i ilirëve e i pellazgëve të vjetër. Ndërsa për arvanitët Rasim Bebua i referohet historianit A.Llalla që thotë: "Arvanitët e Greqisë nuk janë ardhës, nuk janë minoritet. Ata ishin dhe janë akoma në Greqi. Valë të mëdha të arbërorëve në drejtim të Greqisë që ka patur në shek. 4-7 dhe 14 që njohim ne nga disa historianë, nuk janë tjetër veçse shpërnguljet e disa principatave të arbërorëve të veriut në drejtim të jugut për arsye të pushtimeve të tokave të tyre në veri të Arbanasit nga sllavët e më vonë nga osmanët turq.

Arbanët ose arvanitasit që lanë tokat e tyre në veri të Arbërisë, si në Slloveni, Kroaci, deri në fushën e Kosovës, kur zbritën në drejtim të Greqisë së sotme, nuk u pritën me luftë nga popullsia e atjeshme, gjë që tregon se ata zbritën nga veriu në jug te vëllezërit e tyre të atjeshëm arbanitë (arvanitë) që jetonin në trojet e tyre mijëvjeçare."

Në libër autori nuk rri pa përmendur dhe disa veçori karakteristike të kombit shqiptar si toleranca fetare, besa, mikpritja etj. Portrete të skicuara me viza të gjetura ai u bën edhe kapedanëve që i quan abëreshë si Teodor Kollokotronit, Laskarina Bubulinës, Kostandin Kanarit, Andrea Miaulit, Llambro Xhavellës, Marko Boçarit, Gjergj Karaiskaqit, Odhise Andrucios, Dhimitër Palputës, Teodor Grivës, Athanas Shkurtaniotit, Nikolla Kryezotit, Gjon Kapodistrias, Haxhi Mehmet Dalianit.

Autori i librit "Dodona, tempulli i lashtë i Shqipërisë", duke qenë me origjinë çame, në vazhdim të veprës një kapitull më vete "Çamët" ia kushton popullsisë çame, që padrejtësisht ka mbetur matanë kufijve të Shqipërisë. Në një syth të veçantë të këtij kapitulli rrëfehet me nota të gjalla jeta dhe bëmat e famshme të njërit prej luftëtarëve më të njohur në historinë tonë, Ali Pashë Tepelenës. Në këtë syth, ndër të tjera, përshkruhet edhe krahina e Sulit dhe familja e njohur e Boçarëve. Më tej studiuesi Rasim Bebo shpalos në libër konsideratat për shqiptarët nga George Fred Williams.

Pasi bëhen disa vlerësime për arbëreshët e Italisë, për disa veçori të popullsisë çame si për vallen çame dhe fustanellën, për burrërinë dhe besnikërinë çame në veprën "Erveheja", në kapitullin vazhdues portretizohet një figurë e njohur me origjinë shqiptare, Dora D’Istria ose Elena Gjika. Një portretizim i tillë i bëhet në libër, në kapitullin e shtatë, edhe një figure tjetër të njohur me origjinë çame, Abedin Pashë Prevezës.

Libri i Rasim Bebos vazhdon me një shkrim të gjatë që i kushtohet njërit prej bijve më të shquar e të lavdishëm të Çamërisë, shkrimtarit dhe poetit tejet të talentuar, disidentit të njohur Bilal Xhaferri. Dihet mirëfilli ndihmesa e këtij personaliteti dhe i revistës "Krahu i shqiponjës" që themeloi në mërgim, në SHBA, në dobi të çështjes shqiptare, duke luftuar dhe demaskuar komunizmin, i cili arriti të persekutojë mizorisht popullin shqiptar për dhjetëra vite me radhë, duke eliminuar midis të tjerëve edhe plot nga bijtë më të mirë të Çamërisë si Hilmi Seitin, Teme Sejkon, Tahir Demin, Jonuz Purizon, Taho Sejkon etj.

Në libër portretizohen edhe figura të tjera historike me origjinë çame.

Siç shihet edhe nga kjo parathënie e librit, historiani Rasim Bebo është përpjekur që veprës së tij t’i krijojë një strukturë kompozicionale, një lloj boshti kompozicional, që shkrimet e artikujt e librit të krijojnë një vazhdimësi nga vitet e lashtësisë e deri në ditët tona. Gjithsesi, në këtë vepër është vënë në fokus argumentimi me burime të shumta e të llojllojshme historike, nga studiues e historianë shqiptarë e të huaj, i tezës së prejardhjes së popujve të Ballkanit nga një popull fort i moçëm, parahistorik, pellazgët, të cilët janë dyndur e kanë zënë këto troje të paktën dhjetëmijë vjet më parë. Kjo tezë edhe sot është në qendër të debatit shkencor historik. Por ajo që ia vlen të theksohet është se, në të shumtën e herës, historiografia e sotme greke jo vetëm që nuk i pranon këto përfundime shkencore lidhur me tezën e prejardhjes pellazge, por përpiqet t’i interpretojë në mënyrë të gabuar, e, aq më tepër, t’i fshehë sa mundet ato. Megjithëkëtë, siç shprehet edhe studiuesi i talentuar Aristidh P.Koljas. (Aristidh P.Koljas – Proklamata, Botimet Dritëro, f. 67, Tiranë). "Shumë historianë grekë e të huaj kanë shfaqur pikëpamjen se shqiptarët përbëjnë përfaqësimin në shkallën më të lartë të pellazgëve të tejlashtë, prej të cilëve rrjedh edhe origjina e grekëve të lashtë".

Duke mbyllur këto shënime shpreh besimin se libri "Dodona, tempulli i lashtë i Shqipërisë" me vlera historike dhe atdhetare do të lexohet me kërshëri e interes nga lexuesit, të cilët do të përfitojnë mjaft prej tij e do të zgjerojnë dijet lidhur me etnogjenezën e shqiptarëve.

SOKOL JAKOVA