Thursday, March 13, 2008

NË SHTIGJE PAK TË SHKELURA
TË ETNOGJENEZËS SË SHQIPTARËVE

(Mendime për librin me vlera historike
"Dodona, tempulli i lashtë i Shqipërisë"
të autorit Rasim Bebo)

Problemi i etnogjenezës së popullit tonë ka qenë dhe mbetet një çështje e rëndësishme mes çështjeve të mëdha që janë objekt studimi i historiografisë shqiptare. Plot diskutime e debate janë zhvilluar e zhvillohen edhe sot për të gjetur e vërtetuar shkencërisht se nga e ka prejardhjen populli ynë që nga studiuesit konsiderohet si një nga popujt më të lashtë, në mos më i lashti, i Ballkanit. Fatkeqësisht, në arkivat shqiptare mungojnë dokumentet që pa dyshim kanë humbur në vorbullën e shekujve e të mijëvjeçarëve.

Dihet gjendja e sotme politike e shoqërore në Shqipëri ku shkenca, kultura e arti po kalojnë një krizë, dhe problemi madhor i etnogjenezës nuk e ka atë interesim që lipsej prej shkencëtarëve dhe studiuesve shqiptarë, por që, në mënyrë paradoksale, ka zgjuar edhe më tepër interesimin dhe kureshtjen e studiuesve të huaj.

I parë në këtë kuadër, libri "Dodona, tempulli i lashtë i Shqipërisë" i studiuesit të vjetër në moshë e profesion, Rasim Bebos, sjell një ndihmesë me vlerë lidhur me prejardhjen e shqiptarëve, por njëkohësisht, u shpalos grekëve, fqinjëve tanë jugorë, historisë së tyre, se cili ka qenë modeli i vërtetë i shqiptarit apo i arvanitit, siç na quajnë ata, ç’lashtësi ka pasur ky popull që, në një kuptim, ua kalon edhe lashtësisë së tyre, duke edukuar kështu te brezat e rinj të popullit tonë ndjenjën e krenarisë kombëtare, dinjitetit, të mospëruljes e nënshtrimit ndj grekëve, në trojet e të cilëve sot punojnë rreth 600 mijë emigrantë e ku, mbi të gjitha, gjendet një "krah shqiponje i thyer", krahina e Çamërisë me pasuritë e panumërta të saj. Studiuesi i njohur arvanitas, i cili ka qenë për disa vite rresht kryetar i "Lidhjes Arvanite të Greqisë", shkruan: "Greku përpara se të kthehej në grek ishte arbanit, domethënë pellazg. Gjuha jonë arbanishtja është më e hershmja e gjuhës së lashtë greke, që i thonë gjuha homerike. (Aristidh P.Koljas "Proklamata", Botimet "Dritero", f.40, Tiranë).

Titulli simbolik i librit të Rasim Bebos sqarohet që në fillim: "Tempulli i Lashtë i Dodonës ndodhet në jug të Janinës, 22 km, në luginën midis malit Tomaro dhe Monalisë. Data parahistorike tregon se ky vend qe pagëzuar si Zot i Tokës. Aty shkonin klerikët pellazgë të Çamërisë dhe kryenin detyrat e tyre fetare te perandoria e Diellit – Zeusi.
Ky kult është sjellë në Dodonë nga Selloi i fisit thesprot (çam) midis shekujve 19-14 p.e.s. Klerikët e asaj kohe kishin si detyrë të lajmëronin popullin që jetonte rrëzë malit me një çangë, së cilës i binin shumë herë për të lajmëruar të gjithë banorët se doli dielli.

Thuhet se nga të rrahurat ritmike të çangës "don, don don..." edhe liturgjia mori emrin Dodonë".
Duke u mbështetur kështu në tezën e njohur të prejardhjes pellazge të popujve që jetojnë sot në trojet e Ballkanit e më gjerë, Rasim Bebua nis analizën në shkrimet e tij për të vërtetuar autencitetin e kësaj teze, e cila tanimë ka marrë përhapje të gjerë. Sipas Herodotit, Dodona ishte orakulli më i lashtë në Pellazgji. Kjo e dhënë fort e rëndësishme i shërben autorit më pas që në shkrimet e tij të përmbledhura në këtë libër, duke shfrytëzuar edhe një literaturë të gjerë e të pasur nga plot hulumtues e studiues shqiptarë e të huaj, të arrijë në përfundimin e spikatur se shqiptarët, pasardhës të ilirëve, që kanë pasur rrënjët te populli i moçëm pellazg, të jenë stërnipërit më të lashtë të banorëve të Ballkanit.

Në të vërtetë libri i Rasim Bebos përmbledh një sërë shkrimesh e artikujsh të veçantë, shumë prej të cilave autori i ka botuar në shtypin periodik. E, megjithëkëtë, ky material i bollshëm është renditur në libër sipas një boshti të gjetur kompozicional, i cili ka lënë shteg që shkrimet e artikujt të kenë midis tyre një lloj lidhjeje.

Pas një vlerësimi të veprës të titulluar "Libër i një moshe me autorin", shkruar me dashamirësi nga Dalan Luzaj, banues sot në Çikago të SHBA-së, kapitulli i parë i veprës së Rasim Bebos me titull "Dodona" shtjellon gjerësisht, përmes citimesh e referencash të shumta, historinë e tempullit të lashtë të Dodonës. Në këtë kapitull, në bazë të të dhënave të shumta historike, autori Rasim Bebo i jep përgjigje pyetjes "Po grekët? Nga erdhën ata?. Rreth vitit 2000 para erës sonë një popull i paqytetëruar greqishtfolës depërtoi ngadalë nga stepat ruse në drejtim të jugut, duke kaluar përmes Danubit në Gadishullin Ballkanik, së bashku me kopetë e tufat e bagëtive. Rreth vitit 1500 p.e.s. deri në vitin 1100 të sapoardhurit zunë të përhapeshin në hapësirën jugore të gadishullit".

Më pas, në kapitullin e dytë të librit, kapitull që titullohet "Shqiponja", Rasim Bebua, pas një analize të gjatë, mbështetur në të dhëna e dokumente të shumë studiuesve, arrin në përfundimin, edhe sipas Homerit, se "Shqiponja e murrme zeshkane e Zeusit pellazgjik të Dodonës së Epirit ishte shpendi më i dashur, korrieri lajmëtar dhe shoqëruesi i përhershëm i Zeusit Pellazgjik, i cili ishte Perëndia e Diellit në Dodonën e lashtë pellazgjike të Epirit që quhej Pellazgjia"" (Shih edhe Herodotin 2:56; Eskil 658-62, Dodona, fshati i sotëm Kastrica disa këmbë pranë Janinës).

Me interes të veçantë në libër është analiza që i bën studiuesi Rasim Bebo librit të Zaharia Majamit "Etruskët zunë të flasin". Duke shfrytëzuar të dhëna historike e gjuhësore, në këtë syth të librit, arrihet në përfundimin se etruskët dikur flisnin një gjuhë të ngjashme me shqipen. Më pas për të vërtetuar tezën e tij të prejardhjes pellazge të popujve të Ballkanit, Rasim Bebua i referohet edhe librit "Enigma", në shtatë vëllime të studiuesit francez Roberto d’Angelit. Njëkohësisht Rasim Bebo i referohet edhe librit "Shqiptarët" të George Fred Williams. Për këta libra historikë me vlerë, në veprën e tij voluminoze, autori bën nga një përshkrim të shkurtër, duke u ndalur në ato të dhëna historike që janë në dobi të tezës së prejardhjes pellazge të popujve të sotëm të Ballkanit.

Mjaft interesant është edhe kapitulli i tretë i librit, kapitull që titullohet "Mbi ekspeditën e Aleksandrit të Madh". Të tërheq vëmendjen fakti në këtë kapitull kur autori thotë: "Olimpia, nëna e Aleksandrit ishte epirote, pra gjuha e nënës së Aleksandrit ishte gjuha shqipe. Në librin "Enigma" autori i tij këmbëngul në atë që fjala "epiriot" do të thotë shqiptar e aspak "helen", "Epiriotika lingua" gjithnjë kuptohet "Gjuha shqiptare" dhe kurrë "Ellonikn lingua". Mbreti Filip i Maqedonisë, babai i Aleksandrit kishte lindur në Argos (vend pellazg) në kufi me Epirin. (Aleksandri i Madh f.14. G.Radot 1931) Aleksandri i Madh, me origjinë shqiptare dhe helene, në sajë të edukimit në gjuhën greke, i ndoqi studimet nga Aristoteli, një shqiptar nga qyteti Stagire. Përmes gjuhës të nënës, epirote apo shqiptare, Aleksandri u jepte kurajë dhe komandonte gjeneralët e tij gjatë ekspeditës së tij ushtarake. Me këtë gjuhë ai u fliste shokëve e ushtarëve të ushtrisë së tij të jashtëzakonshme, gjuhë që kuptohej nga të gjithë. Shumica e popullatës ishte pashkollë dhe greqishtja moderne ishte e panjohur, sepse ajo filloi të formohej mbi dhjetë shekuj më vonë." (Salang d’Angeli, përktheu L.Rama).

Më tej autori i librit i bën një përshkrim të spikatur edhe komandantit e prijësit legjendar Pirros së Epirit. Portreti i Pirros së Epirit – thotë ai – në emblemën e shoqatës çame, është simbol për respektin e të parëve nga paraardhësit e tij thesprotë – çamë të truallit ilir. Sipas E.Jasques në veprën e tij "Shqiptarët", f.14 "Shqiptarët, një popullsi dhjetëmijëvjeçare, janë pasardhës të pellazgeve parahistorikë dhe të stërgjyshërve më të afërt ilirë".

Për ta shtjelluar më thellë tezën e mësipërme, autori e titullon kapitullin e katërt të librit të tij "Cilët janë shqiptarët?". Duke iu referuar shumë autorëve e studiuesve shqiptarë dhe të huaj, i bën një përshkrim të hollësishëm Despotatit të Epirit dhe evidenton figura të tilla historike si kryezotin çam Gjin Bua Shpata, Mërkur Bua etj.

Kapitulli tjetër i librit që titullohet "Shqiptarët në Ballkan" merret me historinë dhe kuadrin e vendosjes së këtij populli në Ballkan si pasardhës i ilirëve e i pellazgëve të vjetër. Ndërsa për arvanitët Rasim Bebua i referohet historianit A.Llalla që thotë: "Arvanitët e Greqisë nuk janë ardhës, nuk janë minoritet. Ata ishin dhe janë akoma në Greqi. Valë të mëdha të arbërorëve në drejtim të Greqisë që ka patur në shek. 4-7 dhe 14 që njohim ne nga disa historianë, nuk janë tjetër veçse shpërnguljet e disa principatave të arbërorëve të veriut në drejtim të jugut për arsye të pushtimeve të tokave të tyre në veri të Arbanasit nga sllavët e më vonë nga osmanët turq.

Arbanët ose arvanitasit që lanë tokat e tyre në veri të Arbërisë, si në Slloveni, Kroaci, deri në fushën e Kosovës, kur zbritën në drejtim të Greqisë së sotme, nuk u pritën me luftë nga popullsia e atjeshme, gjë që tregon se ata zbritën nga veriu në jug te vëllezërit e tyre të atjeshëm arbanitë (arvanitë) që jetonin në trojet e tyre mijëvjeçare."

Në libër autori nuk rri pa përmendur dhe disa veçori karakteristike të kombit shqiptar si toleranca fetare, besa, mikpritja etj. Portrete të skicuara me viza të gjetura ai u bën edhe kapedanëve që i quan abëreshë si Teodor Kollokotronit, Laskarina Bubulinës, Kostandin Kanarit, Andrea Miaulit, Llambro Xhavellës, Marko Boçarit, Gjergj Karaiskaqit, Odhise Andrucios, Dhimitër Palputës, Teodor Grivës, Athanas Shkurtaniotit, Nikolla Kryezotit, Gjon Kapodistrias, Haxhi Mehmet Dalianit.

Autori i librit "Dodona, tempulli i lashtë i Shqipërisë", duke qenë me origjinë çame, në vazhdim të veprës një kapitull më vete "Çamët" ia kushton popullsisë çame, që padrejtësisht ka mbetur matanë kufijve të Shqipërisë. Në një syth të veçantë të këtij kapitulli rrëfehet me nota të gjalla jeta dhe bëmat e famshme të njërit prej luftëtarëve më të njohur në historinë tonë, Ali Pashë Tepelenës. Në këtë syth, ndër të tjera, përshkruhet edhe krahina e Sulit dhe familja e njohur e Boçarëve. Më tej studiuesi Rasim Bebo shpalos në libër konsideratat për shqiptarët nga George Fred Williams.

Pasi bëhen disa vlerësime për arbëreshët e Italisë, për disa veçori të popullsisë çame si për vallen çame dhe fustanellën, për burrërinë dhe besnikërinë çame në veprën "Erveheja", në kapitullin vazhdues portretizohet një figurë e njohur me origjinë shqiptare, Dora D’Istria ose Elena Gjika. Një portretizim i tillë i bëhet në libër, në kapitullin e shtatë, edhe një figure tjetër të njohur me origjinë çame, Abedin Pashë Prevezës.

Libri i Rasim Bebos vazhdon me një shkrim të gjatë që i kushtohet njërit prej bijve më të shquar e të lavdishëm të Çamërisë, shkrimtarit dhe poetit tejet të talentuar, disidentit të njohur Bilal Xhaferri. Dihet mirëfilli ndihmesa e këtij personaliteti dhe i revistës "Krahu i shqiponjës" që themeloi në mërgim, në SHBA, në dobi të çështjes shqiptare, duke luftuar dhe demaskuar komunizmin, i cili arriti të persekutojë mizorisht popullin shqiptar për dhjetëra vite me radhë, duke eliminuar midis të tjerëve edhe plot nga bijtë më të mirë të Çamërisë si Hilmi Seitin, Teme Sejkon, Tahir Demin, Jonuz Purizon, Taho Sejkon etj.

Në libër portretizohen edhe figura të tjera historike me origjinë çame.

Siç shihet edhe nga kjo parathënie e librit, historiani Rasim Bebo është përpjekur që veprës së tij t’i krijojë një strukturë kompozicionale, një lloj boshti kompozicional, që shkrimet e artikujt e librit të krijojnë një vazhdimësi nga vitet e lashtësisë e deri në ditët tona. Gjithsesi, në këtë vepër është vënë në fokus argumentimi me burime të shumta e të llojllojshme historike, nga studiues e historianë shqiptarë e të huaj, i tezës së prejardhjes së popujve të Ballkanit nga një popull fort i moçëm, parahistorik, pellazgët, të cilët janë dyndur e kanë zënë këto troje të paktën dhjetëmijë vjet më parë. Kjo tezë edhe sot është në qendër të debatit shkencor historik. Por ajo që ia vlen të theksohet është se, në të shumtën e herës, historiografia e sotme greke jo vetëm që nuk i pranon këto përfundime shkencore lidhur me tezën e prejardhjes pellazge, por përpiqet t’i interpretojë në mënyrë të gabuar, e, aq më tepër, t’i fshehë sa mundet ato. Megjithëkëtë, siç shprehet edhe studiuesi i talentuar Aristidh P.Koljas. (Aristidh P.Koljas – Proklamata, Botimet Dritëro, f. 67, Tiranë). "Shumë historianë grekë e të huaj kanë shfaqur pikëpamjen se shqiptarët përbëjnë përfaqësimin në shkallën më të lartë të pellazgëve të tejlashtë, prej të cilëve rrjedh edhe origjina e grekëve të lashtë".

Duke mbyllur këto shënime shpreh besimin se libri "Dodona, tempulli i lashtë i Shqipërisë" me vlera historike dhe atdhetare do të lexohet me kërshëri e interes nga lexuesit, të cilët do të përfitojnë mjaft prej tij e do të zgjerojnë dijet lidhur me etnogjenezën e shqiptarëve.

SOKOL JAKOVA

No comments: